November 21, 2019

Parfumi – Patrick Süskind

Parfumi – Patrick Süskind

 

Në Francën e shek. XVIII, nën prezencën e erërave më të ndyra të asaj periudhe dhe në kushtet më mizerabel lind një fëmijë I cili më vonë do pagëzohej me emrin Zhan Baptist Grenuij.

Nëna e tij pasi e sjell në jetë varet si vrasëse fëmijësh. Kujdesi i tij merret përsipër nga njerëz të ndryshëm. Fillimisht nga abati Terrier të cilin ia lënë në derë si një fëmijë të pushtuar nga djalli dhe më pas te madamë Gajari e cila e vetmja dhembshuri që kishte për fëmijët ishin paratë që fitonte nga ata.

Grenuiji ka një karakteristikë të vecantë. Ai nuk ka aromë trupore. Eshtë i papërfillshem si njeri pikërisht sepse njerëzit nuk e ndjejnë prezencën e tij. Por aromat janë ato që ai njeh më mirë dhe në skutat më të fshehta ai arrin të gjejë aromat më të ndyra, më të papërceptueshme. Të gjithë që qëndruan afër prezencës së tij u ndodhi dicka shumë e keqe pasi ai u largua prej  tyre. 

Për atë të ndjente aroma të ndryshme, t’i nuhaste, t’i klasifikonte, t’i kombinonte ishte epiqendra e vëmendjes së tij dhe e jetës së tij. 

Kuptimi i qëllimit të tij bëhet më I qartë kur ai vret një vajzë flokëkuqe në Rrugën e Mareve vetëm prej aromës së saj për ta patur atë të tijën por jo si trup e shpirt, por si esencë e re jete. Që nga ajo kohë ai zhvendoset nga një vend në tjetrin, në eksplorim të vazhdueshëm.

Ai arrin qëllimin e tij për të punuar per Baldinin, një ndër profumatoret më të mirë por që fama e tij po binte tashmë. Grenuij me forcën e nuhatjes së tij arrin të krijojë parfume të mrekullueshme që e ngrenë Baldinin lart . Por më pas ai pësoi një vdekje te pazakonte. Për 7 vjet  Grenuij jeton në një mal të vetmuar brenda një guve të ngushtë, në të vetmin vend ku nuk ndjehej asnje aromë njeriu.

Ai nuk kishte dashuri, nuk kishte aromë por shqisa e tij e nuhatjes kaq e zhvilluar i jepte atij ndjesinë e një njeriu suprem.

Pasi braktis malin dhe vetminë, ai niset përsëri për të mësuar më shumë mbi kombinimin e esencave në metropolin e prodhimit të lëndëve aromatike, parfumeve, sapuneve dhe vajrave, në qytetin e Grase-së. Aty ai punësohet te madam Arnulf ku mëson proceset e distilimit më të rafinuara që do i duhen për të krijuar kryeveprën e tij:

‘’Parfumin e Dashurisë’’, parfumi që do t’i bënte njerëzit ta donin dhe të binin nën këmbët e tij. Parfumi i cili u krijua nga vrasja e 25 vajzave të virgjëra dhe të bukura ku e fundit ishte një tjetër gur i cmuar, një flokëkuqe që do kishte aromën e zemrës së këtij parfumi. 

Në momentin e tij të dënimit, i coi njerëzit në marrëzi dhe në një orgji të shfrenuar nën efektin e tij. 

Aty urrejtja e tij për njerëzit u rrit dhe më shumë.

Pasi lirohet si i pafajshëm nën efektin mëshirues që i falte parfumi, ai largohet nga ai vend.

Ai ndalon diku natën dhe nën prezencën e disa endacakëve rreth një zjarri hedh disa pika të parfumit.

Menjëherë shihet nga këta njerëz të rrugës kusarë, vrasës, lypës , prostituta si një qenie e jashtezakonshme. Të etur për të pasur një pjesë nga ai ata i sulen dhe e shqyejnë. Dhe ky ishte fundi i tij.

Xhorxhina Roçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *