December 9, 2019

Një jetë borxh

Një jetë borxh

Një jetë borxh

Një jetë borxh
Jeta ime është e imja, por edhe nuk është. Shumë konfuzitet vetëm në një frazë. Kështu ne të dashur miq vrasim shpirtin tonë. Lehtësisht dhe pa e ndjerë ne bëjmë çdo gjë përveç asaj që vërtet duam. Ne bëjmë atë që bota do që ne të bëjmë, bëjmë atë që bota pret nga ne, atë që ne nuk duam. Nuk e kuptojmë se frerët e jetës sonë ne i’a dorëzojmë të tjerëve, e ndërsa ne? Ne shijojmë vuajtjet e një shpirti të zbrazur.
A ju ka ndodhur t’ju pyesin se kush jeni dhe jeni përgjigjur me emrin tuaj por jo atë që vërtet jeni, se cfarë dëshironi dhe ju jeni hutuar pa ditur të ktheni përgjigje? Se ti çfarë ëndërron dhe ti fillove të mendoje se ku ishin fshehur ëndërrat e tua? Harrojmë të dëgjojmë atë që është zot i jetës sonë, shpirtin tonë. Kujdesemi shumë t’i pëlqejmë botës por harrojmë se duhet ti pëlqejmë vetes. Rropatemi të bëhemi ata që nuk duam të jemi për të na dashur të tjerët dhe përfundojmë duke mos dashur veten, duke u bërë të huaj me veten, duke urryer veten. E marrim veten tonë dhe e veshim me një kostum që të tjerët na i kanë qepur dhe dalim me të duke u ndjerë të huaj brenda shpirtit tonë. Ndërkohë që lumturia e vërtetë është të dalim zhveshur, të dalim me shpirtin zhveshur deri në lakuriqësinë më të turpshme, por tonën. Atë që ne e ndjejmë se është e jona, se e dua, se është imja, se fundja edhe kjo jetë që po jetoj më përket vetëm mua, se askush nuk ka të drejtë të më thojë se kush duhet të jem unë, se çfarë duhet të bëjë apo se çfarë është e drejtë apo e gabuar për mua.
Idjotësi, unë nuk kërkova një jetë borxh, kjo është jeta ime. Vetëm unë mund ta jap të drejtën botës të më drejtojë jetën dhe vetëm unë mund t’ja marrë mundësinë për të më ndryshuar mua. Unë jam kjo që jam dhe dua ta shijoj jetën si dua unë. Na është dhënë një jetë të gjithëve dhe deri sa gjithsecili të ketë jetën e tij, askush nuk ka pse kërkon pak te tjetri. Harrojmë shpesh se jeta është më pak se një fragment sekondi, madje është më e shkurtër se aq. Kjo sepse me një kërcitje gishtash ti thjesht humbet nga kjo botë. Duke harruar këtë, harrojmë edhe se nuk kemi kohë të vrasim mendjen se a na pëlqejnë ne të tjerët apo jo?
Është vetëm një jetë që më është dhënë mua, pa e marrë borxh dhe unë kam të drejtë ta jetoj si dua. Jetojeni jetën tuaj sipas mënyrës tuaj dhe le të jemi të gjithë të lumtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *