November 21, 2019

Nen kthetrat e kohes

Nen kthetrat e kohes

Nën kthetrat e kohës
Ashtu, pa u ndjerë, zonja e rënde pas së cilës vrapojnë të gjithë për ta kapur, kalon në heshtje. Është thjesh mit. Askush nuk e ka parë, ndjerë, nuhatur, asnjë fakt shkencor, por të gjithë e pranojmë, jemi rob të saj.
Lindim dhe mezi presim të rritemi, deri në vitin e 20 të jetës koha ngec, ashtu nëpër ëndërrime për të ardhmen. Duke vrapuar çdo ditë të bekuar të fëmijërisë që padashje më vonë do e kërkojmë me shpirt e zemër por nuk do e gjejmë më kurrë, nuk e kuptojmë se po krijojmë kujtimet më të çmuara të jetës. Dhe kështu koha kalon dhe ne nuk e kuptojmë. Papritmas e gjejmë vete të rritur që varemi nga koha, duke vrapuar kudo. Koha na kalon nëpër duar dhe ne mësojmë përmendësh frazat “koha është e çmuar” apo “koha është para” dhe të vetmen frazë të saktë nuk e mendojmë sa duhet “KOHA NUK KTHEHET”.
Kalojmë momente, çaste, krijojmë kujtime dhe koha ikën. Ikën duke marrë me vete çdo gjë, ndërsa ne? Ne rob të saj, flasim se si duhet ta vlerësojmë dhe kurrë nuk e bëjmë këtë gjë. Ne jemi mësuar të vlersojmë gjërat pikërisht kur nuk i kemi. Bashkë me të ikin kujtimet, njerëzit, ndjenjat, humbasim shumë gjëra. Ashtu gabimet veniten, plagët shërohen, njerzit sërish largohen. Jeta lind dhe vdes ashtu e varur nën kthetrat e kohës.
Kalojmë çdo gjë nëpër duar, i bëjmë histori, mendojmë shumë për të nesërmen dhe keqazi injorojmë të sotmen. E duke nisur nga pranvera çdo gjë me ngjyra në lulëzim, kalojmë në verë duke shijuar pafundësisht rininë tonë, dalngadalë vjeshta troket, gjethet fillojnë dhe bien dhe ne kuptojmë se koha jonë po mbaron. Dhe është pikërisht dimri ajo stinë që na bënë të reflektojmë, aty e gjejmë veten të strukur diku në cepin e jetës, duke menduar sesi koha iku dhe çdo gjëje i erdhi fundi.
Askush nuk është i përjetshëm dhe shpesh hërë këtë e kuptojmë sa herë një jetë shuhet apo një tjetër jetë e re lind.
E dashur kohë, ti je e tillë, vetëm vrapon dhe pavarsisht nga gjithçka ti nuk ndryshove kurrë. Ti na kujton vazhdimisht se vetem ikën, por jemi ne që harrojmë. Tani e gjitha ç’ka ngelet është në dorën tonë për të kthyer kthetrat e tua në mbështetje të jetës sonë dhe për të shijuar çdo sekond dhe minutë tëndin si të jetë i fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *