December 9, 2019

E dashur vetja ime

E dashur vetja ime
Të lutem shkëpute vëmendjen nga asgjë-ja dhe më dëgjo, më mirë më lexo. Të lutem përqëndrohu në ato ç’ka do të të them, më shumë se në ato që të kam thënë. Vetja ime! Po bën kohë në fakt që po shpresoja të të shkruaja por vetëm shpresoja. U bënë kohë që s’të kam thënë çfarë po bëhet në krahasim me atë çfarë është bërë. E ta mendosh sa shume ndryshime, rrotacione, të atyre që kanë ndodhur me ato që po ndodhin. Vetja ime! E di që ke qënë i aftë për të kuptuar që çdo gjë në këtë botë është kalimtare, përveç familjes. E përveç kësaj ke qënë i aftë ta besosh mes qindra pabesish. Të besosh që raporti njeri-njeri është antiraport, apo të bësh sikur raporte të tilla ekzistojnë. Unë e di që padrejtesitë të ç’ekuilibrojnë, ndonjëherë dhe brenda teje krijohet revoltë, sikurse di që frika të mbyll gojën sa herë intuita dhe instikti dalin para arsyes. E di këtë gjë. E di që ke qënë i mirë në besimin për veten, vetja ime. E di që nuk ke krijuar iluzione si të atyre që në avujt e kafeve të mëngjesit shihnin fytyra të çuditshme fallxhoresh që iu parashikonin jetën me lekë dhe femra, me makina me krahë apo kurora floriri. E ta mendoje që do ishte ëndërr nuk do e besoje! E di që ka qënë e pamundur të kuptoja që njeriu vështirë të tjetërsohet, sepse i mendoja të gjithë si vetja, ndoshta me atë pafajësine e një fëmije dikur, por jo… Ka qënë e vështirë të kuptoja po ashtu që nuk mund të rritesha kurrë mes një hapësire që kundërmonte erë dajllëzie sepse do të më neveritej vetja. Të duket sikur akrepat e orës kanë ngelur mes njëshit dhe njëshit, ku çdo gjë ishte e paqëllimshme, jo e menduar dhe instiktive. Të duket sikur realiteti atëherë ishte më i gjallë se jeta e atyre luleve që priteshin të këputeshin e të dhuroheshin diku. Edhe më e ngrohtë se zemrat e atyre që prisnin t’ia dhuronin dikujt. Ndërkohë sot, kur akrepat ndahen mes dyshit dhe dyshit çdo gjë sillet ndryshe. Njerëz që perpiqen të imitojnë e kurrë të imitohen. Njerëz që pëlqejnë të të përfshijnë mes intrigash paçka se vetë janë të infiltruar. Njerëz pa botë që e duan atë si tëndja pa u përpjekur për më të voglën mundësi ta bëjnë si të tyren. Njerëz bosh. Duke jetuar me idealet e babit biznesmen dhe mamit prokurore. Njerëz prap bosh. Duke jetuar mes jetës se tyre dhe për jetën e tyre. Duke mos përllogaritur askënd, duke përçmuar çdokënd. Mos u bëj si ata vetja ime! E di shumë mirë që ti je ti edhe kur ata janë mbi ty. E di shumë mirë që do doje të ishe si ata kur vështrimin e hedh nga e ardhmja, por dije që ata kurrë s’kanë për tu bërë si ti. Vetja ime! Malli do të të marrë pafund për këtë që je. Do të të marrë edhe për atë që ke qënë pavarësisht se ke qënë identikisht njësoj. Do të duhet të bësh njëqind pyetjë për egon e me zor do marrësh një përgjigje. Sepse egoja s’të le… E kuptoj që indiferentizmi dhe ti udhëtoni bashkë mes të pafundmes, por hidh një vështrim drejt surreales ndoshta vetëm kështu do mund të shpëtosh. Sepse do mund të shohësh portrete të errëta që në më të shumtën e kohës do të duhet t’i shmangesh, e nëse s’do ishte aq e kollajtë do mund t’i rezistoje. Tani që po e lexon, a nuk bëra mirë që të thashë që më mirë të më lexoje sesa të më dëgjoje?! Përqëndrimin e di që e ke por kisha frikë për përgjigjet. Prandaj lejoje veten të jetojë pa ato idealizma që është mesuar duke parë në teatre kukllash me shtëpia prej druri, zëra të sforcuar apo skena të nimuara…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *