December 9, 2019

Besmir Sulaj shpreh solidaritetin e tij pro nismës “Fol zemër”

Besmir Sulaj shpreh solidaritetin e tij pro nismës “Fol zemër”

Besmir Sulaj shpreh solidaritetin e tij pro nismës “Fol zemër”

Besmir Sulaj shpreh solidaritetin e tij pro nismës “Fol zemër”
“Fol zemër “ është një shprehje e zhargonit të përditshëm që ne e dëgjojmë shpesh. Është bukur kur e dëgjon sepse shpreh dashuri kundrejt një personi, shpreh një vlerësim të madh, pasi zemra është organi kryesor vital i cili na mban në jetë dhe na bënë të ndjejmë çdo emocion si negativ dhe pozitiv me të cilët përballemi.
Në një vend me “mbeturina” të shoqërisë patriarkale si vendi ynë, ku burrat me mustaqe janë shtylla e shtëpisë vetëm për faktin se kanë një forcë fizike pak më të madhe, fjala e tyre në familje është e padiskutuar. Ndërsa gratë dhe vajzat janë për të larë dhe për të fshirë.
Shprehja “Fol zemër” të drithëron trupin deri në qimen e flokut. E dëgjojmë shpesh, por nuk e besojmë. Shikojmë njerëz të qeshur, por gjithmonë dyshojmë dhe pyesim “A thua vallë do të jenë vërtet kaq të lumtur edhe brenda mureve të shtëpisë?” por në fakt, ku shtëpia dhe familja është gjëja më e shtrenjë për çdo njeri ku gjen mbështetje për të ecur përpara, për të shprehur problemet e tij e për të marrë forcë. Pikërisht aty ndodh zhgënjimi dhe keqtrajtimi më i madh, ku të drejtat dhe liritë i atribuohen sovranit baba apo sovranit burrë. Ku në një farë mënyre ai paracakton mënyrën e të jetuarit mirë/ keq ose mënyrës së të jetuarit me detyrim. Sa pikëlluese mund të jetë kur liria të kufizohet brenda familjes, brenda asaj strehëze të ngrohtë, ngelet e paimagjinueshme se si mund ta kërkosh atë jashtë mureve të shtëpisë, në një botë shumë të egër.
“Fol zemër”: E gjitha më tmerron kur çdo ditë dëgjojmë raste të keqtrajtimit të gruas në familje, rastet e humbjes së jetëve nga dhuna, ulërimën e një gruaje e cila nuk takon fëmijën e saj. Kjo sepse këto gra nuk janë përshtatur dot me një burrë patriarkal, në thelb shtylla e shtëpisë, por në fakt është një person pa vlerat e duhura për të pasur atë pozicion. Shtylla e shtëpisë që nuk e merr kurrë seriozisht në dorë fatin e familjes, që jeton si parazit në shpinën e kësaj toke duke i pirë gjakun familjes së tij. Si mund të quhet shtyllë një burrë që nuk ka punuar kurrë, luan bixhoz e bën gallata e karshillëk nëpër lokale deri natën vonë dhe më pas kur shkon në shtëpi ankohet se përse nuk ka bukë, përse pjata është bosh. Ku e gjen të drejtën ky burrë që nuk ka kontribuar aspak për familjen, që nuk i siguron nevojat bazë të ankohet më pas? Ehh, dhe kujt i ankohet? GRUAS, e cila e lan e shplan, i ruan nderin dhe shtëpinë, i rrit fëmijët me sakrifica. E në gjithë këtë situatë të mjerueshme ai burri i shtëpisë nuk pranon dot një këshillë nga ku i vetmi mjet për t’a mbajtur në pushtet i ngelet dhuna dhe keqtrajtimi. Gruaja dhe vajza përsëri e fal, e toleron me shpresën se diçka do të ndryshojë dhe dëshirën e mirë për të mos e ndarë familjen. Ajo pranon skllavërinë për një sakrificë më sublime dhe shpërblimi përsëri është zero. Trajtohet si objekt seksual për të plotësuar nevojat fizike të një mashkulli dhe sërish “Fol zemër”.
Fol zemër, por fol si dua unë, fol ashtu si mendoj unë se është më e mira për ty. Fol zemër se ty nuk të lejohet të mendosh apo të kesh dëshira. Fol zemër dhe bindu se ti nuk ke asnjë vlerë më shumë se sa detyra që të caktoj unë. Vajzat dhe gratë janë të bekuara për t’u bërë nëna të denja, të bekuara me dashuri për të mbajtur gjallë farën e njerëzimit. Gruaja dashuria më e lartë në botë, sot nuk gjen mundësinë për të dhënë kontributin e vet në mënyrë të lirë si simboli më i lartë i rracës njerëzore. I cungohet liria dhe e drejta, i rrezikohet jeta nga dhuna e disa burrave që kurrë në jetë nuk u bënë BURRA, por jetuan dhe parazituan në kurriz të botës, grave dhe vajzave që i presin çdo natë, në kurriz të nënës që rrit fëmijët, siguron bukën për familjen duke mbledhur thërrime. Në thelb gruaja një vizionare ku shpresa kurrë nuk vdes, për një të ardhme të bukur ndodh që në fund shpërblehet më vuajtje, dhunë dhe vlerësim zero. E kur gruaja sakrifikon kaq shumë, si mund të quhet burri shtylla e shtëpisë?
Të dashur burra, e keni gabim! Ju jeni të gjatë si shtylla, të fortë si lisa, por nuk jeni shtylla e vërtet sepse nuk e merrni seriozisht pozitën tuaj ashtu siç ju takon. Ju nuk jeni të gatshëm të keni përgjegjësinë mbi supe, nuk mund të bëni kurrë atë që gratë dhe vajzat kanë bërë në shekuj për shoqërinë dhe familjen. Më vjen keq ta them por gruaja qenka shtylla e vërtetë me atribute dhe vlera të tjera humane. Në të gjithë ekzistencën e saj ajo ka treguar veten si qënie fisnike duke dhënë shumë për këtë shoqëri, gjithashtu edhe duke humbur shumë. Nuk u dorzua kurrë, nuk u ankua asnjëherë, por gjithmonë u bë më e fortë, luftarake, kurajoze dhe falë tyre bota ekziston dhe lulëzon çdo ditë. Falë tyre ne buzëqeshim, dashuria e tyre është aq e bukur sa nuk ka të krahasuar. Kur tek vajzat dhe gratë gjen gjithçka nuk më mbetet gjë tjetër përveç se, burrave në mënyrë të vrazhdë që sjellin vetëm dhimbje në zemrat e tyre t’u them “Fol zemër” nëse ke guxim për të thënë falemminderit.
“Fol zemer” është nisma e ndërmarrë kundër fenomenit të dhunës ndaj grave, një fenomen që është kaq shumë i përhapur por që nuk raportohet nga gratë dhe vajzat. Ato heshtin dhe mbartin me vete vuajtjen e madhe që u shkaktojnë. Nismë e quajtur “Fol zemër”. Për ty zemër që të është doktrinuar që në djep ideja se burri është themeli (çfarë thotë ai do të bëhet). Për ty zemër që pa marrë konfirmimin nga sytë e tij të ftohtë nuk merr dot as frymë, jo të flasësh. Fol! Hiqe shiritin sot. Ti je një femër e fortë. Ti je një shembull. Ti je madhështore. Fol zemër se duke folur i jep në hijeshi botës. “FOL ZEMËR”. Tashmë është në dorën tënde për ti ngritur zërin botës dhe për të marrë pushtetin e jetës tënde në dorë.
Besmir SULAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *