Ballina Artist Të trajnosh vetëbesimin: Si të menaxhosh emocionet negative?

Të trajnosh vetëbesimin: Si të menaxhosh emocionet negative?

2465
0

Vetëbesimi si një nga tiparet më të rëndësishëm të personalitetit ka të bëj me gatishmërinë tonë për të përballuar emocionet negative, si dhe guximin për të ndërmarr veprime nga të cilat mund të mos marrim rezultatin që synojmë. Vetëbesimin mund të trajnohet nëpërmjet praktikës dhe këmbënguljes.

Ne nuk mund të heqim frikën për të bërë gjëra, ne mund të bëjmë gjëra për të hequr frikën. Më e keqja që mund të ndodh kur sfidon veten duke nërmarr një veprim, është përjetimi i një emocioni të përkohshëm negativ. Çdo individ ka një shkallë të tolerancës së emocioneve negative, e cila ka të bëj me aftësinë për të pranuar emocionin që ndien pa përdorur sjellje të kopjuara që e përkeqësojnë situatën dhe gjendjen e përgjithshme të tij.

Tre janë kategoritë e emocioneve negative:

  • Trishtimi
  • Zemërimi
  • Frika

Të gjithë kanë shkallë të ndryshme të tolerancës për këto lloj emocionesh dhe është një reagim normal të duash të shpëtosh nga këto emocione negative. Disa nga mënyrat e gabuara për të larguar emocionet negative janë:

  • Shmangia e situatës ose përpjekja për të kërkuar siguri tek të tjerët.
  • Shpërqendrimi i vetes nga emocionet negative, ndryshe mpirja e emocioneve duke ngrënë më tepërt seç duhet, përdorur gjumin e tepërt për të mos ndier trishtimin, përdorimin e alkoolit ose drogës.
  • Dëmtimi i vetes duke grushtuar veten, shkulur flokët, gërvishtur veten etj.

Shmangia e emocioneve funksionon vetëm për një kohë afat shkurtër. Ne mund të trajnojmë veten që të tolerojmë emocionet negative. Ti tolerosh emocionet nënkupton ti pranosh ato, të bësh një vend për to, të përballesh me to duke nisur nga përpjekja për të njohur emocionin. Analogjia më e mirë që mund të bëjmë është ti mendojmë emocionet si dallgë deti dhe të themi: “Unë nuk do të luftoj me këtë dallgë, unë do të notoj me të, madje unë mund ta ngas këtë dallgë deri në breg”.

Hapi i rradhës është të përqendrojmë vëmendjen në të tashmen, në atë që po bëjmë tani. Ndodh që emocioni të rikthehet dhe kjo është më se normale, fundja kjo është ajo që emocionet bëjnë. Ato vijnë dhe më pas ikin për t’u kthyer sërish. Këto emocione negative shkaktojnë tension, ankth, por të pranosh këtë ankth nuk nënkupton që ti e pëlqen këtë proces dhe të hiqesh kinse nuk ka rëndësi për ty. Të pranosh emocionet ka të bëj me mënyrën se si zgjidhim t’i shikojmë ato.

Ne të gjithë kemi në mendjen tonë një mënyrë të të biseduarit me veten dhe ne dimë se mendimet influencojnë veprimet. Duhet të shmangim autokritikën dhe t’i pohojmë vetes se, “Unë jam kapiteni i anijes sime dhe mjeshtri i fatit tim”. Nëse nuk e themi këtë, nëse nuk e besojmë këtë askush nuk do e bëj për ne. Vetëbesimi ndërtohet duke qëndruar larg njerëzve toksik. Në sfidat që mund të përballemi, presioni është i lartë, por presioni ndërton diamante. Kur provon një aftësi të re, dështimet e vogla krijojnë pasiguri. Shkruani një letër, një listë ku i kujtoni vetes gjërat të cilat ju bëjnë të ndiheni krenar/e sepse çdokush prej nesh bën gabime dhe njerëzit rreth nesh do t’i mbajnë mend ato, revista, televizioni do ti mbaj mend ato dhe ju shpejtë do të filloni t’i besoni. Mbajeni këtë listë për t’iu drejtuar vetes në momente pasigurie duke i përsëritur dhe ripërsëritur vetes listen derisa të keni larguar stuhinë që ka pushtuar mendjen tuaj. Zëvendëso kritikën ndaj vetes dhe të tjerëve me vlerësimin dhe vënien në dukje të progresit sa do i vogël qoftë. Vetëbsimi është midis të qenurit i frymëzuar dhe të nisurit nga puna; midis të provuarit dhe të përsëritjes së veprimit derisa arrin qëllimin. Nëse nuk keni mjaftueshëm vetëbesim kjo është sepse ju duhet të rregulloni qëllimet tuaja. Nëse keni vetëbesim të tepruar kjo mund të jetë sepse ju nuk jeni fokusuar në diçka të vërtetë.

Ornela Domazeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu