Ballina Artist Mik i vjetër…

Mik i vjetër…

517
5
tumblr_oyd2v9FNQg1wb8eauo1_400
Don't be scared, little friend.

Ti ishe aty gjithmonë. Nuk u largove asnjëherë. Si nuk u mërzite një herë, si nuk pyete një herë në u lodha nga frika që kisha ndaj teje?
Gjithmonë qëndroje në qetësi, aty menjëherë sa perëndonte dielli shpejt gjatë dimrit dhe aq ngadalë gjate verës. Apo në korridor kur dritat fikeshin apo nëpër dhoma kur çdo gjë fikej, grilat e dritareve uleshin, perdet mbylleshin dhe ishin vetëm pëshpërimat e lehta të frymave tona, që ngroheshin në çarçafet e rregulluar që në mëngjes, të cilat na përqafonin fort pas një dite të lodhshme e produktive.

Frike prej teje…që në fëmijëri, qëkur mund të mbaja mend si çdo njeri tjetër.

Zgjohesha në kërkim të krahëve të mamasë sime, pyesja veten pse nuk mund të shihja tavanin por mund të shihja dritën e venitur të kullave të gjata në rrugë, ngjanin pothuajse si yje dhe imagjinoja se kur do i arrija dhe unë një ditë. Por ti…ti nuk më lije. Kishe frikë se mos unë ikja drejt asaj drite, duke bërë kështu të ma transmetoje dhe mua atë frikë.
Vetëm nga ky mendim, nisja të qaja. Papritur gjeja veten në krahët e mamasë, teksa mundohej të më qetësonte me ninullat e saja të ëmbla. Zot, sa e varur isha nga ato fjalë.

Mundoheshe të kapeshe edhe ti pas krahëve të saj, por fuqia e saj si nënë të mundte dhe si përfundim, nuk guxoje më të më afroheshe.

Fillova të rritesha, vazhdoja të isha akoma kurioze (vazhdoj të jem) dhe njihesha për kuriozitetin tim. Mamaja shpesh më paralajmëronte për pyetjet që bëja, nga më të cuditshmet, ndonjëherë edhe acarohej sepse s’më pushonte goja dhe kjo gjë më mërziste. Doja përgjigje patjetër.
Dhe mundohesha t’i gjeja vetëm, por ndryshonte kur nata binte. Shikoja kudo, 360 gradë, kthehu këndej, parehati, kthehu andej, parehati gjithashtu. Kudo vetëm ngjyra e zezë. Kjo ngjyrë më bënte të humbisja cdo pyetje “ekzistencialiste” dhe të zëvëndësoheshin nga ato të pasigurisë. Nisnin rrahjet e shpejta të zemrës, mendime që më shkaktonin paranojën, trupi që nuk gjente pozicionin qetësues, imagjinata që jepte akoma ankth. Pse ma bëje atë? Pse vazhdon të ma bësh atë gjë? Apo të bëj unë të kesh pyetje të thella që të mundojnë dhe nuk të përgjigjen, por të drejtojnë në pikëpyetje të tjera? Mos u mbyte dhe ti si unë dhe që të më qetësoje mua, mundoheshe të gjeje përgjigjet që edhe unë të qetësohesha dhe e paraqisje në formën e të dhënit më shumë errësirë e duke më shkaktuar si rezultat më shumë frikë?

Vazhdova të rritesha. Çuditërisht, nuk kisha dhe aq shumë frikë sa më parë prej teje. Ngjyra e zezë e dhënë prej teje nuk më tmerronte aq shumë sa e zeza e dhënë prej njerëzve.

Çdo gjë që kisha besuar e vogël, ai realiteti i ëndërruar i qëndisur plot naivitet dhe komfortues ku e mendoja veten të fortë, si një superheroinë që nuk do të më mundte asgjë dhe askush, ku s’do lejoja askënd të më vinte përposhtë dhe do isha e zonja e vetes…ra përtokë i gjithi, ashtu siç bien tullat e një muri rrethues pa një themel të fortë.

Kështu, ti dëshmove lotët e para të rëna jo ndaj frikës prej teje, por prej zhgënjimit të së vërtetës, që ishte krejt ndryshe nga ajo e vërteta e krijuar nga vajza e vogël e plot shpresa brenda meje që vazhdonte të jetonte e të më jepte shpresë. Por shpresa sa vinte e venitej, pasi mora thikën e parë pas shpine, zemërthyerjen e parë e kështu e në vazhdim zhgënjimet shtoheshin.

Dhe ti vazhdoje të më shihje, aty në vendin tënd të shkretë, teksa vija në shtëpi, hiqja atletet, vija në dhomën time e lija çantën në cepin e saj. U çudite kur plot guxim, vajta ula grilat vetë, por nga ana tjetër nuk u surprizove dhe aq shumë kur pe që nuk e ula deri në fund. Lashë pakëz dritë.
“Nuk ke ndryshuar dhe aq shumë në fund të fundit.”-the. Më pe teksa ashtu me uniformën e shkollës, u shtriva në krevat, vura batanijen sipër kokës, diçka që dikur kisha frikë ta bëja pasi mendoja se do më merrte frymën e do vdisja. Por tashmë e kisha kthyer si një talent të fshehur…dhe qaja. Isha e mërzitur dhe e frustruar me çdo gjë, me shkollën, me shoqërinë, me pyetjet e shumta që kisha në kokë që nuk i gjeja një herë përgjigjen, që nuk ndihesha gati për të ardhmen, që nuk ngrija zërin mjaftueshëm, që kisha frikë të humbisja persona ndërkohë ishin ata që më linin të parët, me vajzën e vogël përbrenda meje që ishte aq mendjelehtë dhe mendonte se çdo gjë në këtë jetë, në këtë botë na donte të mirën kur në fakt ishte e kundërta…gjithashtu isha e acaruar edhe me ty. Që nuk më lije asnjëherë vetëm, rrije më shihje aty në qetësi, teksa qaja apo thjesht rrija duke parë tavanin e duke menduar se ku dreqin po shkoj apo cfarë dreqin po bëj, duke bërë lojëra me mendjen time.

Më shoqëroje kur shkoja për në korridor, teksa merrja frymë thellë kur shihja sesa rrugë të gjatë kisha për të vajtur deri në kuzhinë e doja të mundja frikën time ndaj teje e më pas, duke fikur dritën. Një dorë në njërin mur, dora tjetër në zemër duke u munduar të qetësoja veten nga paranoja e krijuar prej teje. M’u dukte sikur dëgjoja zëra, sikur shihja hije dhe fryma ndalonte në një moment. Siç thashë, po luaje me mendjen time por nga ana tjetër, nuk të vija faj. Kishe kohë që nuk luaje me mua, ishe lodhur duke më parë teksa mërzitesha e frikësohesha nga realiteti por jo më nga ty dhe thoje pse jo dhe një lojë të fundit. Pranova dhe unë, deri në pikën që ngrita çelësin e dritës.

Mesa duket, një pjesë e imja akoma terrorizohej prej teje.

Tashmë, nuk shkoja në krahët e mamasë të qaja. Gjeja komfort në butësinë e jastëkëve, ku vetëm ti dhe jastëku im dinin pëshpërimat e mendimet e pathëna. E kishe fushën e hapur, as mama të të mundte me fuqinë e saj, as një dritë rruge e venitur ku mund të kapesha e të fluturoja larg teje, mund të më tmerroje përsëri por nuk e bëje për një arsye apo për një tjetër. Thjesht rrije aty, në strukun tënd, duke folur me mënyrën tënde që ndoshta po të isha e vogël do të bërtisja me të qara, por tanimë thjesht të dëgjoja, e bashkëbisedoja me ty ndonëse zemra përsëri rrihte fort nga fobia që kisha per ty.

Eh, sa kohë kanë kaluar që atëherë.

Frika prej teje dalëngadalë, u kthye në një mbështetje qetësuese për shpirtin tim të konfuzuar.

Dalëngadalë e shihje dhe ti që nuk qaja apo mërzitesha apo lëndohesha aq lehtë sa më parë.
Dalëngadalë e shihje dhe ti që grilat mbylleshin deri në fund, por tashmë jo për të qëndruar vetëm me mendimet e mia zymtuese, por me mendimet e mia pozitive dhe gati për të ardhmen.
Dalëngadalë e shihje edhe ti që qëndrimet natën deri vonë me ty, nuk ishin më deluzione por biseda.
Dalëngadalë e shihje dhe ti që po arrija ambiciet e mia dhe lotet që derdheshin ishin të gëzimit.
Dalëngadalë e shihje dhe ti që po rritesha, vazhdoja të kisha vajzën e vogël brenda meje që ndonëse naive, ishte plot pozitivitet.
Dalëngadalë e shihje dhe ti që dorën që dikur nuk e shtrija përtej përmasave të dyshekut, tanimë e jepja si një mikeshë e vjetër që mezi priste të të tregonte më të rejat e të fundit nga jeta ime.

Mik i vjetër, faleminderit që m’u gjende pranë në formën tënde e në mënyrat e tua.
Faleminderit që ishe i pranishëm në çdo të mirë e në të keqe, në çdo arritje e në çdo humbje.
Faleminderit që m’u gjende pranë atëherë kur askush nuk mundi.
Faleminderit që akoma më gjendesh pranë, edhe atëherë kur thua që jam tepër e rritur të merresh me mua.

Vazhdoj akoma ndonjëherë të të kem frikë,mik i vjetër. Por siç the dhe vetë, një lojë e fundit s’do ishte keq.

Mik i vjetër je ti përbindëshi i gjendur ne errësirën e pafundme me krijesat e saj dhe të tua poshtë krevatit, në cep të dhomës, brenda në dollap, në fund të krevatit,në korridor, je frika ime, ajo fobi që ndryshe quhet “Niktofobia: frikë ekstreme ndaj errësirës.”

Mik i vjetër…

5 KOMENTET

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu