Poezi nga Sabajeta Peposhi
Në këtë poezi duket sikur Poetja kuksiane luan kukafshehti me vdekjen. Luan me vdekjen dhe flirton me jetën. Me Frymëzimin e vet poetik, filozofik dhe therës paracakton fatin e saj. Jeta dhe vdekja pa vargjet e saj do të ishin një hiçgjë – Gëzim Hilaj.
VJEN NJË ÇAST
Jetojmë me dëshirën për të jetuar
vdesim me dëshirën për të vdekur.
Ky është ligji real i jetës
i ndjenjës fatale të mbijetesës,
Njerëzit përpiqen humbshëm
të reflektojnë imazhe të së ardhmes
shpresëdhënëse.
Pa e kuptuar as vetë
përthithin në lëvizjet e tyre të rregullta
mbeturinat e qelbura të pesimizmit
era e të cilave kundërmon përreth
humbje të rastësishme të logjikës
nëpër pengjet e plakura të mendjes
gjatë arsyetimeve pafundësisht të kota.
I njëjti program i ditës përsëritet përtueshëm
në rrotën gati të çalë të jetës.
Dashje pa dashje njerëzit
përjetojnë çaste të pakthyeshme
me ligjin e jetës së shkruar në ballë
si tatuazh që s`fshihet kurrsesi
nga lëkura e vyshkur gjer në vdekjen e paadresuar.
Vjen një çast
kur të duhet të qeshësh me pahir
me dhimbjen tënde të përqeshur.
Kështu e ka absurditeti therrës i jetës.