Revista Yes Albania
Reklama Yes Albania

Recension – Përmbledhje E kuqja dhe e Zeza – Stendal

Reklama Yes Albania


Recension – Përmbledhje
E kuqja dhe e Zeza – Stendal
Historia nis kur Zhylieni punësohet në shtëpine e kryetarit të bashkisë zotit Dë Rënal si mësues i dy djemve të tij të vegjël. Me zotësinë e tij ai fillon të dallohet në krahinë.
Zhylieni fillon të beje për vete gruan e zotit Dë Rënal e cila bie shpejt në dashuri me të dhe fillon kështu një lidhje pasionante në fshehtësi. Por pas disa kohësh fillon të bjerë në sy afërsia e tyre. Për të shpëtuar nga zërat anonimë që e zbulojnë këtë lidhje, Zhylieni largohet nga vendi për të ndjekur rrugën e fesë por duke qënë se nuk ishte ky qëllimi i tij, ai shumë shpejt largohet nga aty për t’u punësuar si sekretar i zotit Dë La Mol. Në shtëpine e zotit Dë la Mol në qytetin e madh të Parisit, Zhylieni fillon të kuptojë më shumë inferioritetin e tij në krahasim me luksin që e rrethon.
Duke dashur të ngrihet më shumë në shoqëri dhe në sytë e njerëzve të salloneve, ai arrin të bëjë për vete zonjushën Dë la Mol, Matildën, një zonjushë mjaft e mençur, me karakter por dhe mjaft kryeneçe si karakteristikë e vajzave mondane të asaj kohe.
Në momentin që ata duan ta kurorëzojne lidhjen e tyre, zonja Dë Rënal e cila e zbulon këtë gjë, e verbuar nga xhelozia dhe nën ndikimin e parimeve fetare, i dërgon një letër te atit të Matildës, markezit Dë La Mol duke i shkruar mbi metodat që përdor një provincial për të arritur synimet e tij.
Zonja Dë Rënal ende nuk e kishte harruar dhe e vuante në distancë dashurinë e saj duke predikuar dhe duke qënë e ndërgjegjshme për mëkatin e saj.
Zhylieni i hidhëruar që për faj të së kaluarës humbi të ardhmen e tij të ndritur, i qëllon asaj me revole por nuk arrin ta vrasë. Por më pas ai pendohet për këtë gjest sepse zbulon se kishte ende ndjenja të pastra në shpirt dhe dashuria ia zhduk të gjitha gjurmët e ambicies dhe etjes për hakmarrje.
Kundër Zhylienit zhvillohet një gjyq ku atë e dënojnë me vdekje dhe në çastet e fundit ai kupton se ajo që ka dashur me të vërtetë ishte zonja Dë Rënal dhe Matilda ishte thjesht mjeti i tij për të arritur një pozitë në shoqëri.
Ai përfundon në gijotinë dhe trupi i tij varroset në mal si dëshirë tij e fundit. Pas tij vdes dhe zonja Dë Rënal, një fund i cili nxjerr në pah lidhjen e fortë që kishin këto dy shpirtra me njëri-tjetrin.
Zhylieni kishte një shpirt fisnik dhe në fund të librit kuptohet më shume kjo gjë. Pikërisht për këtë fundi i tij është tragjik. Ai u përpoq të ishte pjesë e shoqërisë së lartë por në shoqërinë e lartë nuk kishte vend për njerëz të zgjuar dhe me karakter si Zhylieni dhe aq më pak për njerëz që kishin dhembshuri dhe dashuri.
Historia e këtij romani do ju bëjë për vete sepse nxjerr në pah tema të cilat janë aktuale dhe sot dhe jo vetëm në shek. XIX ku vendosen ngjarjet.
Lufta e atij që e konsideron veten inferior në shoqëri për të patur një pozitë më të denjë dhe hipokrizia e shtresës së lartë janë tema të cilat të bëjnë të reflektosh.
Një roman dramatik, romantik që përfaqësohet nga ngjyra e kuqe e pasionit dhe e zezë e tragjedisë. Një roman i cili ka në vetvete mësime shumë të vlefshme mbi jetën, ambicien dhe dashurinë.
Xhorxhina Roçi
jovetemlibra@gmail.com

Reklama Yes Albania

Add comment

FreeCurrencyRates.com
Reklama Yes Albania
%d bloggers like this: